Pika.alPika.al

NJERIU DHE NATYRA

"...mu për shkak të humbjes së përmasës së brendësisë, shumë nga përpjekjet e të përfshirëve në çështje mjedisore kthehen në një formë inxhinierie mjedisore a një tjetër. Shumëkush pretendon, për shembull, që sikur vetëm të ndërronim mjetet e transportit dhe të pakësonim përdorimin e lëndëve djegëse me bazë fosile si burim energjie, problemi do të zgjidhej ose të paktën zbutej. Mirëpo rrallëkush pyet përse njeriu modern ndjen nevojën për të udhëtuar kaq shumë. Përse është vendbanimi i një pjese të madhe të njerëzimit aq i shëmtuar dhe jeta aq e mërzitshme, saqë tipit të njeriut më përgjegjës për krizën mjedisore i duhet të arratiset nga zonat që ai ka ndihmuar të përçudnohen, dhe ta marrë ndotjen me vete në ato pak vise të ruajtura të tokës, që të vazhdojë të funksionojë? Përse u dashka njeriu modern të konsumojë kaq shumë dhe t’i ngopë të ashtuquajturat nevoja të tij, vetëm për së jashtmi? Përse është i paaftë të marrë çfarëdolloj furnizimi nga brenda? Sigurisht, nuk jemi kundër kujdesit më të mirë për planetin me anë të përdorimit të mjeteve më të urta të prodhimit, transportit, etj, se të tanishmet. Forma alternative teknologjie duhen mirëpritur e institucione si New Alchemy Institute of Cape Cod në Amerikë duhen lavdëruar. Por marifete të tilla të shkencës e teknologjisë nuk do ta zgjidhin problemin të vetme. Nuk ka zgjedhje tjetër veçse që pyetjeve të tilla t’u përgjigjet e të nxirret në pah përmasa shpirtërore e rrënjët historike të krizës ekologjike, të cilat shumëkush ende refuzon t’i shqyrtojë."

S.H.Nasr - "Njeriu dhe natyra"
Shqipëroi: Edin Q. Lohja
© Pika.al 2016.